PRET NJË GRUA NË VERI
Është një shtëpi fshati larg në Veri,
mes borigave halore pranë një pylli,
një shtëpi bore me të pjerrtën çati,
te një livadh i bleruar që puth dielli.
Në atë shtëpi me qeleshe reje mbi krye,
pret një malësore me llërë të përveshura,
një faqekuqe që kënaqet me lexime poezie
dhe te buzët nuk i perëndon e qeshura.
Ajo grua më ftoi mik para disa vitesh,
bashkë me burrin, një malësor trupfort,
të shkruaj vjersha e të veroj aty pushimet,
por nuk pata rast dhe nuk shkova dot.
Ajo çdo mëngjes, kur fshin oborrin,
shkund gjoksin e madh duke vallëzuar,
mjel lopën, zien qumështin, zë kosin
pastaj pjek kulaçin e grunjtë për mua.
Ka dërguar letra me disa re bardhoshe
ku ka shkruar me lapsin e kuq të rrufesë:
“Eja, or mik, se ne po të presim prej kohe!“
Do shkoj t’i lexoj këtë vjershë para se të vdes.