I PAVDEKSHËM PËRMBI SHKËMB
(“BOTA E RE”: Emri i poetit dhe shkrimtarit të mirënjohur,
Vullnet Mato, skalitet në faqen e malit të origjinës së tij,
nga të rinjtë dhe dashamirësit e Fterrës. Sunday,February, 2O1O)
Ti më thua, si nuk të dhanë
të paktën një dekoratë,
që gjysmë shekulli blove,
mijëra ditënetë me mend!...
Të them, nuk ka shpërblim
më të madh sesa ky në art,
kur vetë njerëzit të bëjnë
të pavdekshëm mbi shkëmb...
Të rinjtë e vendlindjes
çmuan arin e penës sime,
pasi gërmova në disa
galeri letrare thellësinë,
sfiduan dekoratën që fsheh
një sirtar komodine,
dhe ma skalitën emrin,
ku e shohin gjithë vitet që vijnë.
Kur kohërat të hedhin sytë
te gjoksi i gjerë i malit,
të kujtojnë penën që kam
ngjyer te gjaku i zemrës,
për brezat që s’duan të dinë
ç’ka brenda sirtari,
po ç’bëri për ta ky emër
gjatë viteve të jetës.
Dhe nuk ma gdhendën
në pllakë guri të vogël,
por tek më madhështori
shkëmb i murrmë,
ku rrasa, si pllakë mermeri,
që pushton një kodër,
ma mban emrin në gjoks,
të mos harrohem kurrë.
Oh, ti më thua, si s’të dhanë
të paktën një dekoratë,
që gjysmë shekulli blove,
mijëra ditënetë me mend,
të them, nuk ka shpërblim
më të madh sesa ky në art,
kur vetë njerëzit të bëjnë
të pavdekshëm mbi shkëmb...