RIZGJIMI PRANVEROR
Ngazëllon po të soditësh rizgjimin e natyrës,
në këto çaste mëngjesore kaq solemne,
kur toka e përgjumur fillon lan fytyrën,
në dushin e madh e çudibërës të rrezeve.
Fshesa e rrezeve si amvisë e kujdesshme
nis të fshijë nga dheu hijet përrallore
duke zbuluar pak nga pak konturet e së djeshmes,
si mozaikë të kredhur nën blozën natësore.
Pllajat e pyllëzuara vështrojnë majëmalet,
dhe nisin të stolisen para pasqyrës së qiellit.
Kumbullat sykaltra përshkëndisin petalet,
për të pritur vizitën madhështore të diellit.
Zogjtë e tulatur nëpër degët blerore,
shkundin gjumin nga puplat, me cicërima,
qingjat e fjetur staneve ndër bregore,
përshëndesin agimin me të parat blegërima.
Gonxhet mes gjetheve, rihapin gjinjtë
dhe zënë të shkundin kristalet e vesës,
grunjërat e mëndafshta drejtojnë kallinjtë
dhe luhaten në valëzimin e ndritshëm të dehjes.
Gjithë konturet e së djeshmes dritësore,
tashmë shfaqen madhërisht në ripërtëritje,
me zbardhëllimin e së sotmen pranverore,
mbushur plot e përplot me qumësht drite...