NUK JAM UNË...
Mbrëmë në një ëndërr
tejet të habitshme,
njerëzit kishin të gjithë
një pamje në fytyrë,
ishin të tërë njësoj
në përmasat fizike,
dhe me zërin identik
në një timbër të shtrirë.
Burri shikonte gruan
tek puthej në buzë,
apo e gjente nudo,
nën një mashkull tjetër
dhe ajo i shfrynte serbes:
Jot shoqe nuk jam unë,
shko gjej tënden,
ke ngatërruar adresën!...
Kësisoj nuk shpërfaqej
xhelozia ndër çifte,
tradhtia ishte në modë
njëlloj si te kafshët;
delet bjonde bënin kopilë
në tufën kolektive,
deshtë brun ndërzenin
kopenë e përbashkët.
Vogëlushët të një stampe
gëlonin në maternitet,
si zogj të sapodalë
nga vezët e një klloçke.
Për të mos u ngatërruar
nga prindërit e vërtetë,
rriteshin së bashku
në çerdhe e kopshte.
Dalloheshin nga etiketa
varur në qafë me emrin,
ku të rriturit shkruanin
ndonjë emër të ri,
kur nga nevoja braktisnin
për ca kohë vendin
dhe pagëzoheshin kishave
në Greqi e Itali.
Jetohej në pasigurinë
më kaotike të një kombi,
ku nuk gjendej lehtë
autori ekzakt i krimit.
Rendi nuk faktonte dot
identitetin e personit
Drejtësia nuk siguronte
provat e burgimit.
Kriminelët me vetura luksi
bënin ligjin ku të donin,
policia dhe gjyqet,
me rraskapitësen punë,
zinin çdo specie “peshqish”
dhe sërish i lëshonin,
pas shprehjes shpëtimtare:
“Nuk jam unë!”...
E bombardova ëndrrën
me pyetje gjer në mesnatë,
pasi nuk mora përgjigje
nga asnjë i shurdhuar,
për bëmat e palogjikshme
të asaj jete të llahtartë,
brofa nga gjumi përpjetë,
duke klithur i tmerruar:
Uh, shyqyr, o zot, që s’jemi
si pikat e ujit në lumë,
se vaj halli, po të thoshim
të gjithë: “Nuk jam unë!”...