VAJZË E BUKUR ME CIGARE
Moj vajzë e bukur
me cigare te buzët,
që thith tym pareshtur
nga mërzia e ditës,
me padurimin që kanë
për ujin e jetës drurët,
ti po rrufit në gjak
helmin e nikotinës!...
Por ato buzë të njoma
janë krijuar për puthje,
të çukitin si sqep zogu
thërrime dashurie...
Bëje zemrën diamant,
mos gërryhet më tutje,
nga kripërat e lotëve,
për çdo lloj tradhtie!
Ose ti vajzë e tërhequr
nga snobizëm loja,
për t’i thithur kashtës
tymrat në mushkëri,
duhet të dish, se cigarja
të ka hequr nga goja,
aromën femërore që deh
meshkujt me magji;
Të ka zverdhur trupin
si hëna mes mjegullës,
të ka sjellë vjeshtën
në dhëmbë e në thonj,
të ka bërë zbokthin
si pluhurin e tjegullës,
të ka thartuar gjakun
si me lëng limonjsh.
Cigarja hiqet kur shkrep
çakmakun mendja,
e në buzët e trëndafilta
ndez një gëzim të ri.
Ndryshe te bukuria
vajzërore me tym brenda,
krimbi i nikotinës hap
pa u ndjerë tunelin e zi...