S’JEMI MË TË DASHURUAR!...
Mos prit nga unë telefonata,
as mesazhe të vargëzuar!
Mos shiko ëndrra të zjarrta,
s’jemi më të dashuruar!...
Mos prit ngjyrat e ylberit,
në buzën time të harkohen!
Në sy i bëra fole skifterit,
zogjtë e tu të mos afrohen.
Në kafazin e shpirtit tim,
ngordhi bilbili yt këngëtar.
Zemra për ty më ka ngrirë,
u bë një ajsberg i bardhë...
Nga çasti kur më mohove,
në qiellin tim, t’u shua ylli.
Nga porti im u ç’ankorove,
bregu im fanarin të mbylli...
Udhëtimi ynë këtu u nda,
kaq ishte ky segment jete!...
Bota ka plot burra e gra,
sa ka qielli pafund planete!...