EJA TË SHKRIJMË AKUJT
Nuk jam më njeri i përbërë
nga mishi e kockat,
jam fluger i mbërthyer
te pallati i kthesës.
Sa herë, ti puhiza ime,
vrundullon nga kioskat,
duart e tua prej ajri
më kthejnë befas
drejtimin e shigjetës.
Pres të bëhesh fllad
nën diellin e mesditës,
Të vish prapë, të më shfrysh
ngrohtësi nga mushkëritë.
Dua të të kthej
nga zemërimi yt arratisës,
të zbut me buzë, te shtrati
vrullin tënd të stuhisë.
Ti s’mund të kesh
egërsinë e tufanit polar,
që krijon zerogradat,
për arinj dhe foka.
Pendimi më ka bërë
pëllumbin tënd të bardhë,
eja, puhiza ime, të shkrijmë
akujt e ditëve të ftohta!...