GJUHA E ZEMRAVE
Miku im, a di ti,
të më flasësh pa zë?
Mikja ime, më flet dot
pa tinguj e pa shenja?
Është një e folur
që krejt mahnitur të lë:
gjuha e zemrave që flasin
vetëm me ndjenja...
Kjo gjuhë e heshtur,
të afron së pari me sy
dhe fillon artikulimin
me rrezatime mirësie.
Të duket sikur vetë qielli
flet ato çaste me ty,
dhe ndjehesh sikur
je motër e vëlla me yje...
Ashtu si flet drita me lulet
pa tinguj zanor,
si buron uji për gjallesat
me mërmërima pa gojë,
si dhuron ajri heshtas
frymën e oksigjenit jetësor,
flet dhe zemërgjeri me zemër,
kur të sheh në nevojë.
Kam bërë shpesh herë
biseda të tilla në jetë,
me njerëz të zakonshëm,
pa dallim gjinie,
që kanë te zemra fshehur,
pa ditur as vetë,
shkulma gjaku që gjenerojnë
regëtima bujarie.
Kush ka provuar dhe di
si përdoret kjo gjuhë,
është i lutur të shtojë
dhe një bisedë me mua!
Do i ngroh zemrën
kur me zemër do ia puth,
qoftë djalë i ri, burrë i vjetër,
vajzë apo grua.
Ato çaste ne të dy
do të ndjehemi aq të afërt,
sikur të na ketë krijuar
me gjakun e saj një nënë,
sikur më ka falur
gjithë arin e nëntokës së pasur,
dhe sikur tërë botën
dhuratë ia kam dhënë...
O njeri, nëse të ka penguar
gjuha masive e urrejtjes
dhe këtë gjuhë zemre
paske lënë pa ushtruar,
provoje fillimisht
me belbëzime brenda vetes,
pastaj me të tjerët do ndjehesh
tërësisht i mrekulluar!...