GRA TË MENÇURA
Ndodh ca gra të mençura
u bien ca burrave gdhenj,
ku lindin pranvera të bukura,
jetojnë dimra të mëdhenj.
Lidhin shpirtin skllavërisht,
për të bleruar pjella e tyre.
Mbajnë burrat kurorëzuar
si mbretër shkretëtire.
Në shtratin e dashurisë
burrave u shtrihen ftohtë,
kur ata gjuhën e mençurisë
nuk arrijnë ta mësojnë dot.
Dhe fillojnë të ushtrojnë
gjuhën e duarve të forta,
sa akullohen nga fëmijët,
dhe çngjyrosen nga bota.
Dihet se për burra të tillë,
e mençura nuk është e tërë.
Por sidoqoftë, ata me dëshirë
zgjedhin mbretërimin në rërë!...