FJALA E THJESHTË ÇOBAN

Fjala çoban duket më e thjeshta e fjalëve,
por mbart kuptimin e një rrapi madhështor,
se mbulon relievin e fushave dhe maleve,
ku tingëllojnë pareshtur zile dhe këmborë.

Nën hijen e këtij rrapi ndrit hëna e plotë,
mugullon bari i njomë, tërfili shtrin fletët,
mërzejnë vapës tufat me dele, dhi e lopë,
ulen për të shkruar vjersha baritore poetët.

Te fjala çoban tjerr qielli shtëllunga reje,
shiu thur litarë dhe breshri lidh kokrra,
era i bie fyellit me oshtima prej rrufeje,
bora shtron qilimin e bardhë mbi kodra.

Të kjo fjalë lehin qentë në gjurmët e arinjve,
ujqërit skërmiten fshehtas në korije të largëta.
Teksa kovat mbushen me currilat e gjinjve,
baresha ngroh gjoksin me puthje të zjarrta.

Te kjo fjalë gërshëra pret stofin e leshtë,
dhe kostumi i dhëndrit gatit dasmat e vitit.
Në baxho stanesh ngrin qumështi i nxehtë,
për fuçitë e djathit nga druri i fortë i lisit.

Te kjo fjalë e lashtë sa koha nuk di largësinë,
nëna pret sisën dhe vogëlushin merr përdore.
Njeriu mban kafshën dhe kafsha mban njerinë,
duke lidhur mes tyre bashkëjetesën tokësore.

Se qëkur hëngri mish e shtrydhi gjinj për të pirë,
njerëzimi i bëri bagëtitë ushqim kryesor të botës.
Ujku u shpall armiku i përjetshëm, egërsirë,
dhe çobani u bë lartmadhëria absolut i kullotës.

 

Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145