LAGJIA IME NGJYRË BRONZI

Jetoj te lagjia e "Tironës" me gjuhë lirie,
ku jehon tallavaja me tonalitete histerike,
dëgjoj shprehjen:“Të bofsha me rob shpie!”
siç bie sahati i madh te xhamia islamike.

Quhem “gaxhoi i mirë që shkruan llogje”.
Kur zbres nga makina bidonat me ujë Selite,
më rreshtohet skuadra ndihmëse me yje bote,
nga lista ndërkombëtare e futbollistëve.

Fundjavën e kam me net pagjumësie,
nga ekstazat dasmore të miqve komshi,
që më urojnë nga larg me litërshe rakie
dhe hedhin valle nate te rrugica me shi.

Djemtë e vajzat me xhinse poshtë mesit,
me kërthizat si mikrofona që thithin deri tutje,
u dridhet barku nga ritmet marroke të xhezit,
tek kërcejnë si kukullat me fije të padukshme.

Zhurmëtarët e mi lindin e shuhen si meteor,
por humbjet ua plotëson karvani me kokorroçët.
Çuditen kur në zi i ngushëlloj mbi arkivol,
ku zbrazin dhimbjen më të hidhur të botës...

 

Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145