LYPSARËT E HESHTUR

Ka lypsarë
që s’kërkojnë asgjë
dhe prapë të lypin
krejt të heshtur.
Qindarkat e xhepit
nuk i ke më,
se shpesh t’i marrin
duke qeshur.

Ata vërtiten
nëpër sportele,
në tryeza lokalesh
dreka e darka.
Shfletojnë para
me përkëdhelje,
të joshin t’u falësh
disa qindarka.

Të tjerë në shkolla
dhe spitale
të këqyrin duart
me vërejtje.
Ne harxhojmë
fjalë pas fjale,
ata presin
monedha letre.

Më tej ca presin
para me shuka,
krejt seriozë
nëpër kolltuqe.
U kërkojmë punë,
se mungon buka,
ata duan miliona,
t’u bëjmë dhe lutje.

Me rrëketë që mbledhin
nga ne për çdo hall,
bëjnë lumin e tyre,
e na lënë pikën e ujit.
Do të thaheshin ata
si peshqit në zall,
po të themi të gjithë:
“Nuk i japim askujt!”...

 

Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145