MUNGESA JOTE

Të kam njëzetekatër orë
në dhoma e në shtrat të shtrirë.
Profili dhe imazhi yt
më fle e më zgjohet brenda trurit.
Hera-herës më ngjan vetja
si bërthama e frutit të arrirë
dhe ti më ke mbështjellë
me ëmbëlsinë e tulit.
Herë të tjera më duket
sikur më ke burgosur lirinë
për të shijuar fruta të tjera
të ëmbla të kësaj bote.
Por shpejt ndjej se shpirti
më ka humbur qetësinë,
kur zgjatet koha trishtuese
që sjell mungesa jote...
Ti ike te njerëzit e fisit
në largësinë tre-katër male.
Dhe kur erdhi nata monotone
me shurdhimin e vetmisë,
shtëpia u mbush gjithandej
me mungesën tënde të madhe,
sikur shirat përmbytën dhomat
me ujërat e fshehtësisë.
Pyeta veten si mund të vinte dita
pa meloditë e zërin tënd?
Nata ime e gjatë si mund të kalonte vetëm?
A do të vinte prapë marsi
me gjethet dhe zogjtë në shtegtim?
A do të binte sërish nëpër dhoma
ylberi yt që ngjyros jetën ?
Kjo zemra ime
ka filluar të ruaj në kujtesën ritmike,
faktin se pa ritmin e frymëmarrjes tënde të afërt,
mund të mbetet pa gjak
dhe me venat krejt anemike.
Ndaj të lutem
mos më lër vetëm as ditën as natën!

 

Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145