GRUA, MOS PROVO TË VDESËSH!...

 

 

 

 

Grua, për pak sa s’më ike, nga gripi i rëndë...

Vdekja zgjati kthetrat, skërmiti dhëmbët,

të më linte vetmitar, me fëmijët pa nënë

dhe u bëra copë akulli, nga koka te këmbët.

 

Ne përjetuam një jetë binjakësh të adhuruar,

aq sa më duket, sikur linda i martuar me ty.

Tani, kaq keq, fatin kush ma kish zemëruar,

të më sillte për trupin tënd, arkivolin e zi?...

 

Fanatikët donin mos lidhnim gjakun bashkë,

mos përzienim ndarjen, në emra e mbiemra.

mos shkelnim kufirin e bajramit me pashkë,

kur ne i kishin lidhur nyje, fijet në zemra...

 

Dhe u kurorëzuam pa saze e fustan nusërie,

duke fjetur në çarçafë të bardhë ëndërrimi.

U mbuluam me jorgan puthjesh, në vite rinie,

për të krijuar tre yje, me ndriçim vezullimi.

 

Kush ma mbylli papritur rrugën me ferra

dhe të ardhmen me xhama të copëtuar?

Kush më hapi, nga horizonti, deri te dera,

këtë humnerë të thellë, për t’u dërrmuar?...

 

Ndjeva, më sulmuan ujqër, lukuni egërsire,

arinj nga thellësitë e pyjeve të qoftëlargut,

gjarpërinj helmatisës, kobra shkretëtire,

të më helmonin deri në inde, gjakun...

 

E mira grua, kryezonja e shtëpisë sime,

lartësuar, perëndesha ime e dashurisë,

ty të kam librin e jetës, me disa vëllime,

s’prisja të më bëheshe lot i dhembshurisë.

 

Kështjella ime do shembej, bashkë me mua,

nga katastrofa e apokalipsit tënd të tmerrshëm.

Grua, të kam dashur, tani më fort do të dua,

por para meje, më kurrë, mos provo të vdesësh!

 

 


Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145