HIJA E PISHËS NË OBORR

Hija e pishës si gorre
lidhur në oborr,
tundi bishtin në mëngjes
te ballkoni i mikes.
Ca kothere diell
ajo i thërrmoi me dorë,
për të më dhënë
shenjat e pritjes.

Në mesditë hija
mblodhi bishtin,
dhe ia futi gjumit
e lodhur nga vapa.
Shtrova batanijen,
të freskoj shpirtin,
dhe prita sa të errej,
të binte nata.

Në mbrëmje i lehu
hënës nga lindja,
dhe e zgjidha hijen
nga zinxhiri,
të na ruante natën
nga gojët e liga,
kur jam gati mikes
t’i vdes te pëqiri.

Gjithë natën,
engjëlli mbrojtës
me degë të blerta,
na fshehu prej syve
vrasës të dashurive.
Duke gërmuar
thesarin e mikes fshehtas,
zbuluam portën
e parajsës me yje...

 

Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145