SORKADHJA

Ma preu udhën një sorkadhe e bukur,
si hëna me dy degë pylli mbi krye.
Befas m’u prenë të dy gjunjët
dhe shtanga si dre i mallëngjyer.
Dhe kafshëza u step e qimja iu drodh
e më vështroi drejt me sy të skuqur.
O, si më dridhej zemra në gjoks...
njësoj si gjethja ku ka qëndruar një flutur.
Nuk di ç’vetëtima më ranë në sy
ato pak çaste të paharruar !
Pylli më kish zbuluar thesarin e tij
dhe ne kishim mbetur si dy të dashuruar.
Pashë këmbët e saj të përkulen
dhe dy herë përtokë rrahu bririn.
Pastaj ajo buluroi si vajzë e turpshme
dhe u nis të shkojë tutje pyllit.
Gati sa nuk thirra me zërin shushurimë:
Mos u tremb, të lutem qëndro dhe pak këtu !
Nuk jam gjahtar që vras bukurinë,
jam këngëtar i mahnitur i brirëve të tu...

 

Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145