SHIU VRASTAR

Nga dita kur i lagur qull, ai guxoi ta shante pak:
“O shi, të dhjefsha renë që të nxori nga barku!”
Shiu nuk iu nda këmba-këmbës në asnjë çast,
për ta qullur dhe familjarisht, ç’i përmbante pragu.

Kur shtëpia pronë shteti i pikoi në disa tjegulla,
ai sërish shau brenda mureve të mos e dëgjonin:
“O shi, të përmjerrsha derën tënde me mjegulla!”  
Po s’dinte se era i kish venë në tavan mikrofonin.

Shiu mblodhi nga pikat e çative ca shpifje të zeza,
dhe i hapi atij një dosje me kapak akulli të trashë.
Me gjyq bubullimash vendosi të ndiqej në tre breza,
dhe e mbylli në minierë me tela si urithin gjembaç.

Atje ai shau pa frikë, se s’kish ku e çonin më keq:
“Të shkërdhefsha racën aziatike, o shi gjirokastrit!”
U ridënua me dyert e qiellit të mbyllura nga retë:
pushkatim rrufeje dhe varrin mos ta dinin as minjtë.

“Si kryekriminel që deshi të përmbyste qiell beharin,
kapur në flagrancë, kur tentoi të vriste një re me shi.”
Farefisi ka njëzet e ca vjet që po i kërkon varrin,
në përrenj dhe zalle ku shiu po i lag të gjithë përsëri...

 


Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145