SYTË GODITËS TË FEMRAVE

Kur isha dikur paksa më tepër djalosh,
njëra ndalej shpesh përballë dritares sime.
Më kthente krahët mes shoqesh përposh,
dhe më injoronte krejt me shpërfillje shpine.

Pyeta një shok me përvojë në këto punë,
pse më fyente asisoj kjo femër pa edukatë.
Përkundrazi, tha ai, ajo të ka brenda në tru,
por ashtu të sheh me sytë e mendjes më gjatë;

Se femrat, veç syve të zakonshëm në ballë,
kanë dhe sytë e zemrës përbrenda trurit.
Shohin fare mirë me një rrezatim të rrallë,
çdo shikim përqark nga përgjimet e burrit.

Dhe ndryshe sa thuhet për shejtan në shishe,
ato kanë nga i paudhi ndoshta vetëm gisht,
se edhe me sytë e ballit të shikojnë ndryshe,
të joshin si luaneshat, të godasin me bisht.

Kish pasur të drejtë ky shok i regjur me femra.
Pas ca kohësh, kur ajo gjeti çastin e përshtatur,
më dha goditje të forta me bisht syri te zemra
dhe më bëri të kuptoj se isha qorr me sy hapur...

 

Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145