KAM DËSHIRË

Kam dëshirë e më pëlqen shumë,

të jem sqepi i një zogu këngëtar,

të jem vala që vrapon nëpër lumë,

të jem rrëkeja që shket nëpër bar.

 

Kam dëshirë e nostalgji të vjetër,

të jem flutur që rend mbi lulishte,

të jem ketër në një pyll të gjelbër,

të jem gjinkallë nëpër degët ahishte.

 

Kam dëshirë dhe ëndërroj shpesh herë,

të jem gjethe në shushurima të plepit,

të jem syri përgjimtar në një skifter,

të jem frymë suferine te dallga e detit.

 

Kam dëshirë e më rrëmben malli,

të jem bri dreri që josh sorkadhet, 

të jem përrua që gurgullon te zalli,

të jem puthja diellore që zgjon malet.

 

Kam dëshirë të ngarkuar me freskime,

të jem re shiu mes vapës përvëluese,

të jem thëngjill zjarri te vatrat jetime,

të jem pikë loti te qerpiku i nuseve,

 

Kam dëshirë e bëhem gati si i marrë,

të jem bajrak kuqezi i shqipo emigrimit,

të jem pikë gjaku për vëllamin kosovar,

të jem gërshëra që pret shiritin e bashkimit...

 

 
 
 

Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145